Gati 4 muaj pasi mori në dorë hetimin e çështjes “21 janari”, SPAK administroi një regjistrim audio, ku pretendohet të jenë komunikimet e funksionarëve të Gardës të çasteve ku u vranë 4 protestues. Materiali audio u depozitua në SPAK nga gazetari, Artan Hoxha, i cili po ashtu për tri orë dha shpjegime para hetuesve të çështjes, raporton A2.
Hoxha tha se materiali i siguruar prej tij ishte regjistruar me një diktofon nga një person që ditën e ngjarjes kishte akses në kanalin ku komunikonin vetëm drejtuesit e Gardës.
Pas administrimit, kjo provë pritet t’i nënshtrohet akt-ekspertimeve teknike për autenticitetin e më pas për identifikimin e personave të përfshirë, transmeton A2.
Hetimi për çështjen “21 janari” u regjistrua në SPAK në korrikun e këtij viti, në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nikës, bashkëshortja e Aleks Nikës, shkruan A2.
SPAK po heton për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, “shpërdorim të detyrës” e “kryerjes të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të treja kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)