
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, për korrupsion pasiv, raporton A2 CNN. Ndërsa ndërtuesi Rrok Gega u shpall fajtor për korrupsion aktiv. Megjithatë, dënimi për të dy u pezullua dhe ata u vendosën në shërbim prove.
Islamaj u dënua me 2 vite e 1 muaj burg për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, por dënimi iu pezullua dhe u konvertua në 2 vite shërbim prove, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë tjetër vepër penale. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës së Islamajt për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ndërtuesi Rrok Gega u shpall fajtor për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 6 muaj burg. Por edhe për të, gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke e vendosur në shërbim prove për 1 vit.
Ata u dënuan për një tender Islamaj akuzohej se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, e cila nuk ishte parashikuar në projekt. Sipas SPAK, ajo kishte ndërhyrë te ndërtuesi dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki. (A2 Televizion)