Gjykata e Durrësit vendosi të izolojë në paraburgim Xhemal Lokën, bashkëshortin e 41-vjeçares, Bedrie Loka, e cila u vetëvra ditët e para të janarit në Sukth. Sipas prokurorisë, Loka dyshohet të ketë shtyrë në vetëvrasje bashkëshorten e tij, ndërsa do të hetohet edhe për mbajtjen pa leje të një arme zjarri të gjetur pranë banesës.
I dyshuari Loka mohoi akuzat e ngritura në sallën e gjyqit dhe kërkoi masë më të butë, duke shprehur edhe shqetësim për kujdesin ndaj 4 fëmijëve të tij. Ai pretendoi se nuk kishte dhunuar të shoqen dhe se ishte kërcënuar me herët nga familjarët e saj, pretendime që nuk bindën gjykatën.
Vetëhelmimi i 41-vjeçares, nënë e 4 fëmijëve, më 2 janar u konsideruar fillimisht si i motivuar nga gjendja e rënduar psikologjike e saj për shkak të denigrimit që i ishte bërë nga një profil fals në rrjetin Tik-Tok. Por deklarimet e 4 fëmijëve të çiftit dhe të vëllezërve të 41-vjeçares i dhanë një rrjedhë tjetër hetimit. Thëniet e tyre përputheshin në një pikë të vetme, që gruaja ishte dhunuar e kërcënuar në vijimësi nga i shoqi.
“Që në muajin mars 2000, kur është martuar motra ime, ai e ka trajtuar shumë keq. E ka dhunuar disa herë fizikisht. Besoj se këtë veprim e ka bërë vetëm prej dhunës së Xhemalit, nuk ka lidhje fare puna e tik-tok-ut”, deklaroi një nga vëllezërit e 41-vjeçares.
“I ka thënë mamit lloj-lloj fjalësh. I ka thënë do të vras. E ka ofenduar me fjalë të rënda. E ka goditur mamin me grushta dhe me shkelma...Babi im e shante e ofendonte më fjalë nga më të ndyrat. I thoshte, ke dashnor. I thoshte se ti shkon nëpër hotele”, deklaroi një nga fëmijët e 41-vjeçares.
Në një tjetër deklarim, një prej fëmijëve të çiftit, rrëfente se një vit me parë, Xhemal Loka kishte telefonuar nga Greqia bashkëshorten e tij dhe i kishte thënë “unë ty do të të bëj të vrasësh veten, mbaje mend”.
I njëjti ka pretenduar se ka filmuar disa herë momentet e kërcënimeve dhe videot ia ka dërguar motrës së tij. Sipas prokurorisë, nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga këqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik dhe që dyshohet të kenë çuar të ndjerën në vetëvrasje. (A2 Televizion)