Këto janë pamjet e momentit ku një 44-vjeçar i dehur teksa drejtonte automjetin nuk i bindet patrullës për të ndaluar dhe më pas godet makinën e policisë duke rrezikuar jetën e dy efektivëve, raporton A2CNN.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kënetës në Durrës, vetëm disa rrugica më tutje, aty ku dy javë më parë shoferi i dehur Nikoll Radaçi i mori jetën dy fëmijëve të mitur dhe la të plagosur rëndë një fëmijë tjetër, ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik.
Mbrëmjen e së shtunës patrulla e policisë ka shkuar në zone për të ndaluar një automjet që lëvizte me shpejtësi pas sinjalizimit të banorëve, me qëllim shmangien e një tragjedie të dytë.
Në video shihen pamjet kur 44-vjeçari Rezart Abazaj teksa drejton makinën kryen manovra të rrezikshme. Fillimisht patrulla e policisë i ka kërkuar të ndalojë dhe shoferi jo vetëm që nuk ka ndaluar, por është larguar me shpejtësi në errësirë nëpër rrugicat e lagjes.
Pasi uniformat blu e kanë ndjekur, në një moment janë afruar për ta ndaluar, por shoferi i ka goditur me makinë duke ecur indietro, e ku për pasojë mori disa dëmtime të lehta një prej efektivëve.
Por, të dy punonjësit e policisë kanë reaguar në kohë duke e ndaluar. 44-vjeçari nga Skrapari, me banim në Durrës, ishte problematik në komunitet, pasi shpesh drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Pas testit të alkoolit rezultoi me 1.4 mg/l dhe u arrestua në flagrancë nga policia. (A2 Televizion)