
Kryeministri Rama ka publikuar pamje të shembjes me tritol të 3 vilave në zonën e Saukut në Tiranë pasi ishin ndërtuar pa leje.
“Nuk mund të ndërtohen vila të shtrenjta për qëllime fitimi në dëm të ligjit e në kurriz të komunitetit. Operacioni nuk do të ndalet askund dhe përballë askujt, deri kur asnjë të mos e mendojë fare më se mund të ndërtojë metra katrorë pa leje”, shkruan Rama.
Ndërkohë, për këtë rast pesë inspektorë të IMT Tiranë kanë rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi lejuan ndërtimin pa leje të objekteve.
Në operacionin policor “Ërong Project” u ndaluan inspektorët Gjergji Male, Krenar Rexhepi, Aldo Dubi, Odise Cenaj dhe Endri Dervishi.
Policia njofton se një tjetër inspektor është nën hetim, ndërsa 3 inspektorë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu, në pranga përfunduan edhe drejtuesja teknike Bianka Xhumari dhe inxhinieri i subjektit Ritvan Gjikolaj, për llogari të të cilit janë ndërtuar tri objektet, si dhe u shpallën në kërkim dy bashkadministratorë të subjektit ndërtues, dhe arkitektja në këtë subjekt. (A2 Televizion)
