
Për dy ditë me radhë, niveli i Vjosës ka qëndruar mes kuotave 7.8 dhe 8.3 metra, duke shënuar ulje-ngritje të vazhdueshme, por pa rënë poshtë zonës së rrezikut.
Ndërsa lumi mbahet në këtë pikë kritike, situata nuk është e qetë në fshatin Fitore, ku uji ka filluar të rritet jo nga Vjosa, por nga kanalizimet e tejngopura që tashmë nuk përballojnë më prurjet. Sipas burimeve në terren, nëse niveli i ujit në Fitore rritet edhe me 10–15 centimetra, disa banesa rrezikojnë të preken, shkruan A2 CNN.
Vjosa, tashmë në ditën e katërt të krizës, vijon të mbajë në ankth strukturat e emergjencave civile dhe pushtetin vendor, të cilët po qëndrojnë në gatishmëri të plotë përgjatë gjithë vijës së lumit dhe urës së Mifolit. (A2 Televizion)
