
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni nis betejën me drejtësinë dhe kërkon të lirohet nga arresti shtëpiak. Përmes avokatit të saj, ajo ka paraqitur ankim në Apelin e Posaçëm, duke kundërshtuar masën e sigurisë të konfirmuar më 24 shtator, kur u përball në seancë me pretendimet e prokurorisë. Hyseni dyshohet për veprat penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahjes së autorit të krimit”.
Emri i saj doli gjatë hetimeve për dosjen e biznesmenit Ergys Agasi, lidhur me tenderët e AKSHI-t. Sipas SPAK-ut, Hyseni dhe Agasi kanë pasur komunikime të vazhdueshme, edhe gjatë dy muajve kur biznesmeni ishte shpallur në kërkim. Sipas dosjes hetimore, nga fundi i qershorit deri një ditë përpara arrestimit të Agasit, mes tyre rezultojnë të jenë zhvilluar 70 biseda telefonike. Prokuroria pretendon gjithashtu se ka zbuluar komunikime në të cilat Hyseni i komunikonte se do takonte kryeministrin apo përfaqësues të shteteve të huaja.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe nëntë dokumente, të cilat dyshohet se kanë dalë nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Në seancën gjatë së cilës u konfirmua masa e sigurisë, ish-drejtoresha e SHISH-it i mohoi akuzat e ngritura ndaj saj.
Pas njoftimit zyrtar të SPAK-ut për akuzat, u bë publik edhe shkarkimi i Hysenit nga detyra. Në drejtimin e përkohshëm të SHISH-it u komandua Elvis Lila, i cili mori pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj. (A2 Televizion)