
Policia ka arritur të gjejë një prej makinave të përdorura nga autorët e vrasjes së çiftit Mujeci të dielën e kaluar në Balldren të Lezhës, raporton A2 CNN. Mjeti Volkswagen Golf 5, pa targa, i përdorur nga qitësit është gjetur i fshehur në zonën e Torovicës.
Për këtë vrasje, policia ka shpallur në kërkim Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç. Sipas autoriteteve, ky i fundit, djali i Genc Mhillit, i vrarë 10 vite më parë, ka marrë hakun e të atit, pasi për ngjarjen akuzohej edhe Kreshnik Mujeci.
Sipas hetimeve, fisi Mhillaj ka zgjedhur të marrë hakun duke mos i besuar drejtësisë, por duke vepruar sipas kanunit, pa kursyer as bashkëshorten e objektivit të tyre.
Mujeci dhe bashkëshortja e tij u qëlluan me armë zjarri ndërsa ndodheshin brenda automjetit të tyre, kur po ktheheshin nga një drekë në Lezhë për të shkuar drejt banesës në fshatin Koljakaj. Autorët vepruan me dy automjete dhe ishin të pamaskuar. E gjithë skena e krimit është fiksuar nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes duke e bërë më të lehtë zbardhjen e krimit nga policia. (A2 Televizion)