
Shtatë persona janë arrestuar në Tiranë për ngritjen e një rrjeti prostitucioni, raporton A2 CNN. Gjithashtu u vunë në hetim 5 persona të tjerë, 2 përfitues nga kjo veprimtari dhe pronarët e 3 apartamenteve të dhëna me qira.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan 2 faza të operacionit “Network”, gjatë të cilave u vunë në pranga shtetasit:
-S. Z., 33 vjeç dhe O. N., 22 vjeçe (shtetase ukrainase), bashkëjetues, pasi dyshohet se kanë shfrytëzuar për prostitucion, në një apartament të marrë me qira ditore, në rrugën “Njazi Demi”, shtetasen ukrainase, A. H., 23 vjeçe, e cila u arrestua për veprën penale “Prostitucioni”;
-L. M., 57 vjeçe, L. Sh., 39 vjeçe, Sh. R., 47 vjeçe dhe Zh. P., 37 vjeçe, të gjitha shtetase kineze, pasi ushtronin prostitucion, në 2 apartamente në zonën “Vasil Shanto” dhe në rrugën “Vangjush Furxhi”.
Më tej, në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 5 shtetas, ndër to, pronarët e 3 apartamenteve të dhëna me qira dhe 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)