Vrasja e Egli Progës, ping-pong përgjegjësish mes gjykatës, prokurorisë dhe policisë

Nga Gazmend Janku
15 Gusht 2024, 11:56 | Kronikë

Gjykata e Korçës i kalon përgjegjësinë Prokurorisë për lehtësimin e akuzës nga "vrasje me dashje" ne vrasje nga pakujdesia për Denis Meçen, autorin e dyshuar të vrasjes së Egli Progës në Pogradec.

Përmes një deklarate Gjykata shprehet se në këtë fazë të hetimit gjyqtari paraprak nuk mund të ndryshojë akuzën, por thjesht vlerëson dhe konfirmon veprën penale te ngritur nga Prokuroria.

Por përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria Korçës bën përgjegjëse policinë, duke njoftuar dhe nisjen e hetimit për inspektorin e çështjes, i dyshuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Këtyre reagimeve iu përgjigj sërish Policia e Shtetit, e cila merr në mbrojtje oficerin Artur Lilo. Policia thekson se nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Lidhur me hetimin e kësaj ngjarje, policia thotë se ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos