Policia e Durrësit ka arrestuar një 25-vjeçar, Edison Brahaj, i cili akuzohet se ka ndihmuar Esmerald Ballën, djalin e Enver Ballës, që të transportonte dhe të hidhe në pus trupin e pajetë të babait të tij, raporton A2 CNN.
“Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit E. B., 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës. Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia”, tha policia.
Gjatë kontrollit në banesën e Brahajt u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale "Moskallëzim i krimit", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Fshehja ose asgjësimi i kufomës".
Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
E njëjtë si historia e shkurtit të këtij viti ku fëmijët vranë babanë e tyre dhe e groposën në kasollen e bagëtive, kësaj here djali pasi vrau babanë e hodhi në pus.
Krimi i rëndë në familje u regjistrua në Shënavlash ku 34 vjeçari Esmerald Balla pranoi para hetuesve se kishte vrarë babanë e tij 62 vjeçar Enver Ballën, e për ta zhdukur e kishte hedhur në pus, raporton A2.
Për të fshehur gjurmët 34 vjeçari kishte denoncuar në polici dhe zhdukjen e babait të tij që më 13 gusht, por dyshimet e hetuesve ishin tek një krim në familje.
Fqinjët e familjes Balla janë shokuar nga ngjarja e rëndë. Pas disa seancash marrje në pyetje të 34 vjeçarit ai pranoi krimin ndërsa dyshohet se shkak u bë një kasafortë me rreth 75 mijë euro brenda saj, shkruan A2.
Burime pranë grupit hetimor thanë për A2 CNN se kasaforta e mbyllur ndodhej në dhomën e 34 vjeçarit. Ai i ka thënë policisë se kishte arritur ta hapte me gur fresibël në pjesën e pasme dhe nga aty merrte para, mëson A2.
Në momentin që babai i tij ka zbuluar se mungonin shuma të konsiderueshme ka nisur konfliktet me djalin e tij ndërsa mëngjesin e 13 gushtit i biri e qëlloi për vdekje me pistoletë. (A2 Televizion)