Pas disa muajsh nga atentati mafioz që la të vdekur Gentian Bejtjan në Larushk të Fushë-Krujës, policia ka shpallur në kërkim ndërkombëtar një tjetër të dyshuar si ekzekutor i 43-vjeçarit. Bëhet fjalë për Florian Plakun, 41-vjeç, i cili përdor edhe 2 mbiemra të tjerë Serjani dhe Mamo, pjesë e grupeve kriminale të Vlorës.
Ndaj Plakut gjykata e Tiranës ka caktuar më 26 korrik masën e sigurisë ‘arrest me burg’ si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe armëmbajtje pa leje. Në 2019, ai u arrestua pas dyshimeve se niste kanabis nga Shqipëria drejt brigjeve italiane në Brindizi. Droga nëpërmjet korrierëve më pas shpërndahej në zona të ndryshme të Italisë, shkruan televizioni A2.
Anëtarë të tjerë të bandës e cila drejtohej nga 41-vjeçari plaku ishin dhe Armand Lushaj, Indrit Hamzaj dhe Julian Aliaj. Për arrestimin e atentatorit, i njohur me pseudonimin ‘Pole Qorri’, policia e Vlorës ka kryer kontrolle në disa vende si dhe në banesë, por nuk është gjetur, ndërsa dyshohet se është larguar në Dubai kohë më parë pasi policia sekuestroi disa pajisje elektronike në një agjenci udhëtimesh në lezhë.
Pas vrasjes së Gentian Bejtjas policia arrestoi 41-vjeçarin Ilir Beqaraj, i cili njihet dhe me emrat Ilir Brahimi ose Mançellari dhe Edison Haxhiun, 30 vjeç, si të dyshuar për ekzekutimin mafioz. Ndaj Ilir Beqarajt, i arrestuar më parë për ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, prokuroria e Tiranës ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke shtuar ndaj tij edhe ‘Vrasje me paramendim’. Ndërsa Edison Haxhiu për policinë është dhe pronari i automjetit tip Golf 6 me të cilin atentatorët u larguan. (A2 Televizion)