Të afërm, vajza e birësuar si dhe bashkëfshatarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit çiftit të të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia, të cilët u gjetën të vrarë me mjete të forta dhe mjete prerëse në banesën e tyre në fshatin Bodrisht të Bashkisë së Dropullit.
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga konstatimi i këtij krimi të dyfishtë policia ende nuk ka një pistë të qartë të asaj se çfarë ka ndodhur me çiftin e të moshuarve. 12 personat e shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje janë lënë sërish të lirë.
Ndërsa përveç dhunës ndaj të moshuarve, policia nuk ka arritur të konstatojë shenja të ndonjë grabitje të mundshme. Madje, të ndjerit, KostaIlia, i janë gjetur në xhep edhe një shumë parash të përfituara nga pensioni që merrte në Greqi.
Gjithashtu, burime pranë grupit të hetimit, nuk kanë ende të përcaktuara mjetet e forta dhe ato prerëse me të cilat janë qëlluar çifti i të moshuarve, ku gruaja u gjet në dhomë, ndërsa i shoqi në oborrin e banesës.
Në mungesë të provave materiale, tanimë shpresat janë tek provat biologjike të gjetura në vendngjarje, pasi në pamje të parë kjo vrasje e dyfishtë ka lënë pas shumë pak për të mos thënë asnjë prove materiale.
Gjithsesi dyshimet e grupit hetimor kanë ende pista që po verifikohen dhe me kalimin e orëve pritet të japin edhe rezultate përkatëse. Ndërsa ngjarja ka tronditur banorët e Bodrishtit por edhe gjithë bashkisë Dropullit, e cila në shumicë ka popullatë të moshuar që jeton e vetmuar në banesat e tyre. (A2 Televizion)