
A2 CNN ka mësuar detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku humbi jetën një efektiv policie dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni.
Sipas informacioneve paraprake për A2 CNN mësohet se autori i ngjarjes është Violand Bracellari ka qenë një ish ushtarak dhe prej vitesh në kërkim për llogari të Vlorës, ndërsa efektivët janë pjesë e forcave Shqiponja.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një grup policor ishte nisur drejt fshatit të thellë malor Bodë në Lozhan të Maliqit, për të kapur një person në kërkim me rrezikshmëri të lartë.
Gjatë momentit të afrimit pranë stanit të madh të qenve, që autori dispononte për të mbajtur larg policinë, ai ka vërejtur lëvizje të dyshimta dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri.
Nga të shtënat ka mbetur i vrarë në krye të detyrës një efektiv policie, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Burime pranë Policisë bëjnë me dije se autori i dyshuar Violant Bacellari, është një person i rrezikshëm, i njohur në zonën e Maliqit për ngjarjet e mëparshme kriminale ku dyshohet se ka qenë i përfshirë.
(A2 Televizion)