Policia e Tiranës ka ushtruar kontrolle të imtësishme në Shijak, në Durrës e në kryeqytet për të arrestuar Julian Gjoshin, autorin e vrasjes së Alfred Dedjas, pasditen e së dielën në një lokal në Ndroq.
Pavarësisht kërkimeve, 27-vjeçari nuk është mundur të gjendet nga policia. Pas kontrolleve, policia ka gjetur në zonën e njohur si Shkëmbi i Kavajës vetëm mjetin e autorit dhe pak më tej targat e makinës, shkruan A2 CNN.
Ndërsa arma e zjarrit nuk është mundur të gjehet nga policia. Policia ka shoqëruar për të marë në pyetje të paktën 20 persona, mes të cilëve edhe familjarë të viktimës dhe autorit. Ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për konfliktet e tyre apo për rrethanat e krimit. Për të siguruar prova të reja, grupi hetimor ka rindërtuar edhe një herë dinamikën e krimit.
Nisur edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve okularë, rezultoi se autori Julian Gjoshi ndodhej i ulur në tavolinë me nipin e pronarit të lokalit. Menjëherë aty ka shkuar edhe 50-vjeçari Dedja. Sapo ky i fundit është ulur në tavolinë, 27-vjeçari e ka qëlluar me 5 plumba pistolete, 3 prej të cilave Dedja i mori në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autori nuk e ka nxjerrë pistoletën nga xhepi, por ka qëlluar nga xhepi i xhupit. Në vendngjarje policia sekuestroi një predhë plumbi e cila është çuar në laborator për ekspertim. Hetuesit kanë dyshime se viktima dhe autori kanë biseduar më herët dhe kanë lënë takim së bashku. Si pistë kryesore, policia ka atë të konflikteve për prishjen e pazareve të drogës. Viktima dhe autori kanë pasur njohje të mëparshme. Viktima Alfred Dedja më herët ka pusuar si menaxher te kompleksi Golden, në pronësi të Altin Hajrit, ky i fundit kunati i autorit të krimit.
Viktima dhe autori janë persona me precedent penalë. 50-vjeçari Dedja i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe i skeduar në Itali për drogë, ndërsa 27-vjeçari Gjoshi po për armëmbajtje dhe konflikte të ndryshme. (A2 Televizion)