
Një ambient i fshehtë i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike është zbuluar në fshatin Vreshtas të Bashkisë Maliq, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, shkruan A2CNN.
Sipas organit të akuzës, ambienti nëntokësor ishte ndërtuar poshtë një koteci shpendësh dhe përdorej për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike cannabis sativa. Për këtë rast është arrestuar shtetasi me iniciale K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.
Hetimet, të kryera me metoda proaktive, zbuluan se hyrja në laborator realizohej përmes një strukture të improvizuar, që të çonte në një dhomë të ndërtuar nën tokë. Ambienti ishte organizuar në mënyrë profesionale, me mure termoizoluese dhe i pajisur me sisteme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje.
Në hapësirën e fshehtë u gjetën llampa speciale për kultivim, pajisje për kontrollin e temperaturës dhe lagështirës, tubacione për qarkullimin e ajrit, si dhe sistem ujitjeje për bimët narkotike. Po ashtu, ishin krijuar zona të posaçme për tharjen e cannabis-it, ku bimët ishin varur në struktura të improvizuara.
Gjatë kontrollit, hetuesit sekuestruan rreth 5.4 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi të vogël të dyshuar kokainë, peshore elektronike, sisteme ventilimi e ndriçimi, si dhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar. (A2 Televizion)