Zjarret në Selenicë, Ministria e Mbrojtjes: Vatrat, nën kontroll. Nuk ka rrezik për banesat

Nga Jerola Ziaj
13 Gusht 2024, 09:17 | Kronikë

Zjarret në Selenicë, Ministria e Mbrojtjes: Vatrat, nën kontroll.

Disa vatra zjarri janë regjistruar sërish në Bashkinë e Selenicës edhe mbrëmjen e së hënës. Pranë fshatit Velçë, në fshatin Bashaj, gjithashtu zjarr ka patur edhe në fshatin Mërtiraj dhe një zjarr në Malin e Beunit, në fshatin Vajzë. Ende nuk ka bilanc zyrtar, por janë djegur një numër i shumtë ullinjsh në Velçë dhe Mërtiraj.

Ndërsa orët e pasdites dhe gjatë mbrëmjes të ditës së hënë janë regjistruar vatra zjarri në fshatin Bashaj dhe Velçë të Selenicës. Sipas informacioneve nga Policia e Vlorës, lidhur me rastet e zjarreve janë shoqëruar disa persona.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se vatrat e zjarrit në Bashkinë e Selenicës janë vënë në kontroll gjatë ditës së martë. Sipas ministrit Pirro Vëngu, rreziku për banesat është eliminuar, por situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

“Pas një nate përpjekjesh e pune të pandërprerë, strukturat operacionale të Emergjencave Civile në nivel lokal dhe qendror, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kanë arritur të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në Bashkinë e Selenicës. Rreziku për banesat është eliminuar, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në ndihmë të forcave vendore janë bashkuar edhe dy ekipe zjarrfikësish nga Forcat e Armatosura. Mirënjohje të gjithë efektivëve për punën e tyre heroike në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve”, lexohet në postimin e ministrit të Mbrojtjes në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos