Bienalja e artit në Venezia, Iva Lulashi prezanton veprën “Dashuria si gotë uji”

Nga Luela Myftari
20 Prill 2024, 14:25 | Kulturë

Hapet zyrtarisht Bienalja e Artit në Venezia. Kjo ngjarje e rëndësishme artistike shënon edhe 60 vjet traditë. Po kush do të na përfaqësojë, cila është tema e Bienales së Artit për këtë vit dhe me çfarë vepre përfaqësohet Shqipëria në këtë ngjarje të madhe artistike?

Artistja Iva Lulashi do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, me projekt-idenë "Love as a Glass of Water".  Menjë karrierë mes Shqipërisë dhe Italisë, Iva Lulashi është një artiste që eksploron në terrene të guximshme. E tillë do të jetë edhe prekja e saj në pavijonin shqiptar, që kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli. Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill - 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa. Kuratori AntonioGrulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë.

“Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj:janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë tëhuaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë tëhuaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”.

Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia. Përmes artit të saj, Iva Lulashi na fton të shohim dashurinë dhe instinktin si gjuhë universale, forca primare që lidh njeriun me botën. 

Pyetja që ngre artistja përmes veprës ë saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët? Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj. “Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës “që lëviz diellin dhe yjet””, shton Grulli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos