Në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, drama e mijëra bashkëkombësve që u nisën drejt brigjeve të huaja në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë u rikthye përmes një performance artistike në qytetin e Durrësit.
Poezia, teatri dhe dokumentimi historik u ndërthurën në “Hartë Memece për të Mbyturit”, një vepër që risolli në kujtesë fatin tragjik të atyre që humbën jetën në det dhe një plagë që vijon të mbetet pjesë e memories sonë kolektive.
Shkrimtari dhe poeti bashkëkohor Arian Leka prezantoi në shëtitoren “Taulantia”, në qytetin e tij të lindjes, performancën teatrore dhe instalative “Hartë Memece për të Mbyturit”.
Me regji të Driada Dervishit, vepra u konceptua si një homazh për viktimat e eksodit shqiptar, por edhe si një ftesë për të reflektuar mbi arsyet që vazhdojnë t’i shtyjnë shqiptarët të largohen nga vendi.
E përkthyer në 12 gjuhë dhe e interpretuar më parë në skenat e Berlinit, Këlnit, Helsinkit dhe Vjenës, performanca u rikthye në Durrës, duke bërë bashkë aktorë profesionistë, poetë, gazetarë dhe qytetarë në një rrëfim kolektiv që shuan kufijtë mes artit dhe përjetimit njerëzor.
Përmes ndërthurjes së poezisë, dokumentit dhe reflektimit filozofik, “Hartë Memece për të Mbyturit” e shndërroi detin në simbol të shpresës, humbjes dhe sakrificës, duke rikujtuar historitë e atyre që u nisën drejt një jete më të mirë, por nuk arritën kurrë në breg. (A2 Televizion)