Një nga tenorët më të famshëm në botë vjen në Tiranë

Nga A2 CNN
18 Gusht 2024, 16:04 | Kulturë

Një nga tenorët më të famshëm në botë vjen

Jose Carreras do të vijë në Tiranë për një koncert të paharrueshëm, më 8 shtator.

Një prej tenorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave do të jetë në “Selman Stermasi” për një nga ndalesat e turit të tij të fundit para se të tërhiqet nga jeta artistike.

Pjesë e treshes së famshme “Tre tenorët”, ku bënin pjesë edhe Luciano Pavarotti e Plácido Domingo, Carreras vjen në kryeqytet për kënaqësinë e artdashësve shqiptarë.

José Carreras mban një pozicion të privilegjuar në botën e muzikës. Lindur në Barcelona, ai studioi muzikë në qytetin e tij të lindjes. Në vitin 1970, ai filloi karrierën e tij profesionale në Gran Teatre del Liceu të Barcelonës me rolet në "Nabucco" dhe "Lucrezia Borgia". Karriera e tij muzikore pwrfshin debutime të hershme në teatrot dhe festivalet më prestigjioze të operës në botë, përfshirë Teatrin alla Scala të Milanos; Metropolitan Opera House të New York-ut; Opera e San Francisko; Staatsoper e Vienës; Royal Opera House e Londrës; Opera e Mynihut; Lyric Opera e Chicago; si dhe Festivalet e Salzburgut, Aix-en-Provence, Edinburg dhe Verona.

José Carreras ka bashkëpunuar me drejtuesit më të njohur të orkestrave, përfshirë Herbert von Karajan (me të cilin kishte një marrëdhënie artistike dhe personale që zgjati më shumë se dymbëdhjetë vjet dhe përfshinte performanca në Salzburg, Berlin dhe Vienë), Claudio Abbado, Riccardo Muti, Lorin Maazel, Riccardo Chailly, Colin Davis, Giuseppe Sinopoli, James Levine, Carlo Maria Giulini, Leonard Bernstein dhe Zubin Mehta, si dhe me regjisore të shquar të skenës si Franco Zeffirelli, Jean Pierre Ponnelle, Giorgio Strehler, Luigi Comencini dhe Harold Prince.

Repertori i tij përfshin mbi gjashtëdhjetë opera, ndër të cilat disa që spikasin janë: Andrea Chenier, La Bohème, Tosca, Werther, Don Carlo, Carmen, La Forza del Destino, I Pagliacci, L’Elisir d’Amore dhe Un Ballo in Maschera. Diskografia e tij përfshin mbi 160 regjistrime, veçanërisht 50 opera të plota, oratore, recitale popullore dhe klasike. Ai ka marrë shumë disqe ari dhe platinumi dhe ka shitur rreth 80 milion regjistrime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos