Shfaqja teatrale “Vizita” rrëmben trofe në Sarajevë

Nga Luela Myftari
14 Tetor 2024, 18:00 | Kulturë

Një engjëll që vjen në tokë dhe i mëson njerëzve dashurinë. Kështu mund ta rrëfesh me një fjali veprën e George Wells vënë në skenë nga trupa teatrale “Migjeni”. Jozef Shiroka ka pritur median me një lajm të mirë në hollin e teatrit “Migjeni”. Shfaqja “vizita” ka triumfuar në një festival të rëndësishëm për teatrin, një festival i kategorisë A, siç renditet në botën e artit. 

Ajo që i mungon trupës teatrore shqiptare, thotë aktori Shiroka, për suksese të tilla është pikërisht mbështetja për shfaqje të një niveli të tillë ndërkombëtar. Dhe me shumë rëndësi është bashkëpunimi me regjisorin italian Davide Iodice dhe teatrin e Sardenjas të Italisë. Sipas tij, dialogu mes artistëve është ajo çka i duhet trupave tona teatrale.

Edhe aktorja Merita Smaja shprehet se teatri shqiptar ka mbetur deri më sot brenda kufijve pikërisht sepse kanë munguar njerëzit që dinë të punojnë në një nivel të lartë, shkruan A2 CNN.

Emocionet për Fritz Selmanin, i cili ka rolin kryesor të engjëllit në shfaqjen “Vizita”, janë të mëdha, ndonëse ky nuk është i pari çmim që rrëmben shfaqja.

“Vizita” shënoi premierën botërore në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në muajin tetor 2023. Me regji të italianit Davide Iodice, muzikë Lino Cannavacciolo, tekst të Fabio Pisano (shqipëruar nga Zija Vukaj) u vlerësua me tre çmime si “Shfaqja më e mirë”, “Muzika më e mirë” dhe “Skenografia më e mirë” edhe në festivalin teatror “Moisiu”, që u mbajt në nëntor 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos