Tedi Papavrami rikthehet në Tiranë me një film përtej muzikës

Nga Luela Myftari
9 Shtator 2026, 17:24 | Kulturë

Tedi Papavrami rikthehet në Tiranë me një film përtej

Ka momente kur muzika nuk mjafton të dëgjohet. Ajo duhet parë, ndjerë, përjetuar. Dhe ka takime artistike që nuk ndodhin thjesht mes dy njerëzve, por mes dy botëve.

Një takim i tillë vjen në Tiranë me Tedi Papavramin dhe dokumentarin “The Bow and the Brush”, me regji të Raphaëlle Aellig Régnier, një vepër që vendos përballë njëra-tjetrës dy forma të ndryshme të shprehjes artistike: tingullin e violinës dhe heshtjen e kaligrafisë Zen.

Në qendër të filmit është një moment magjepsës. Papavrami interpreton “Chaconne” të Johann Sebastian Bach, ndërsa mjeshtri japonez i kaligrafisë dhe budisti Kanshô Miyashita krijon shenja dhe forma mbi letër, duke iu përgjigjur ritmit, frymës dhe emocioneve të muzikës.

Harku i violinës dhe peneli i kaligrafit lëvizin sikur të ishin pjesë e së njëjtës frymë. Bach-u dëgjohet. Kaligrafia shihet. Por ajo që mbetet është diçka që shkon përtej të dyjave: heshtja. Është pikërisht kjo përvojë që e bën “The Bow and the Brush” më shumë se një dokumentar muzikor. Filmi është një udhëtim drejt një hapësire ku Perëndimi takohet me Lindjen, ku muzika klasike europiane dialogon me estetikën dhe filozofinë Zen dhe ku arti nuk ka më nevojë për përkthim.

Për Tiranën, ardhja e këtij filmi ka edhe një emocion të veçantë. Në ekran do të jetë një artist që e ka nisur rrugëtimin e tij pikërisht këtu, në qytetin ku lindi, përpara se violina ta çonte në skenat më të mëdha ndërkombëtare. Tedi Papavrami rikthehet kështu në Tiranë jo vetëm me violinën, por edhe me një histori për t'u treguar. Një histori mbi muzikën, mbi përqendrimin, mbi heshtjen dhe mbi atë forcë të padukshme që i bashkon njerëzit përmes artit.

Në këtë film, Papavrami nuk është vetëm interpretuesi i Bach-ut. Ai bëhet pjesë e një dialogu të rrallë kulturor, ku çdo notë duket sikur gjen një përgjigje në një lëvizje të penelit. Këtu qëndron magjia e vërtetë e filmit: në një botë që flet gjithnjë e më shumë, “The Bow and the Brush” na kujton bukurinë e të dëgjuarit, të vëzhguarit dhe të heshturit, te shijuarit art.

Publiku i Tirana International Film Festival do të ketë mundësinë ta përjetojë këtë takim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos