Ka dhënë gjithnjë çmime për të tjerët, por është hera e parë që merr një çmim vetë. Petrit Beci ka punuar me artistë të mëdhenj, por edhe me të rinjtë. Për shumëkënd, ai është njeriu që zgjedh figurat që do të bëhen të famshme në ekran.
Të gjithë bashkë, në këtë çmim të karrierës që merr në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar, i kujton me një duartrokitje.
“Dua të jem falënderues dhe të bëjmë një homazh për të gjithë ata që themeluan kinematografinë shqiptare, për të gjithë brezat të cilët e ndërtuan, punuan dhe sakrifikuan: një numër shumë i madh skenaristësh, regjisorësh, kompozitorësh, piktorësh, operatorësh, montazhierësh e deri te punëtorët e skenës, pa harruar rolin e jashtëzakonshëm të aktorëve”, tha ai.
“Sepse, pas 14 vjetësh, një pjesë e madhe e tyre nuk janë të pranishëm këtu në sallë, për arsye jetësore, dhe mendoj se meritojnë një duartrokitje shumë të madhe”.
Edhe në këtë festival ka një kritikë. “Ka ardhur një moment që ndoshta duhet të vihet dorë seriozisht në kinematografinë shqiptare”.
Një merak e ka edhe për fatin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë: “Mos i ndërroni emrin Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sepse emrat nuk ndërrohen, pavarësisht rimodelimeve, edhe pse katër herë janë bërë ligjet e me radhë. Do të isha shumë falënderues për atë që e ideoi në radhë të parë, Dimitër Anagnostin, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë gjë. Së dyti, për dy kolegë të mi, të cilët gjithashtu i kemi humbur kohët e fundit: Vladimir Prifti dhe Faruk Basha”.
Ai përgjigjet thjesht edhe kur dikush i kërkon një këshillë se si mund të bëhet më mirë. Edhe në këtë festival, që patjetër do të ketë debate dhe pakënaqësi, sepse në fund të fundit është një konkurs. “E di që ka edhe hatërmbetje. Por do t'u thosha brezit të ri: kohën e keni përpara, keni kohë të merrni çmime”.
Nga tapeti i kuq i një festivali, Petrit Beci vijon ende të mendojë për më të mirën për ekranin. (A2 Televizion)
