Kush fiton, si kanë reaguar fituesit dhe kush pati guxim ta refuzojë: disa të dhëna interesante mbi Nobelin për Letërsi, i cili jepet të enjten e ardhshme

Nga A2 CNN
4 Tetor 2026, 14:32 | Kulturë

Kush fiton, si kanë reaguar fituesit dhe kush pati guxim ta refuzojë:

Themeluesi i çmimit më prestigjioz letrar në botë është Alfred Nobeli. Ishte bërë i pasur nga dinamiti dhe shkruante poezi, por cilësia e tyre duket se nuk ishte aq e mirë, andaj s’u botuan. Me testamentin e vitit 1895, ai la pasurinë e tij për të financuar pesë çmime, përfshirë atë të letërsisë për veprën më të shquar “në një drejtim idealist”.

Gazeta britanike “Financial Times” (FT), në numrin e fundjavës, ka ofruar të dhëna shumë interesante mbi çmimin Nobel të Letërsisë, përcjell A2CNN. Së pari: kush ka gjasa të fitojë? Tregjet e parashikimeve priren drejt emrave si shkrimtari indian Amitav Ghosh, autorja kineze e avangardës Can Xue ose romancieri amerikan Thomas Pynchon për të fituar shpërblimin prej 1 milion eurosh.

Megjithatë, parashikimet shpesh dështojnë, ndërsa vëzhguesit nuk i kursejnë kritikat. Poeti nigerian Chinweizu Ibekwe shpotiti mendjemadhësinë e një grupi suedezësh që pretendojnë të vendosin për cilësinë intelektuale të mbarë botës.

Mospërputhja mes peshës së çmimit dhe lokalizmit të anëtarëve të jurisë ka shoqëruar çmimin që nga fillimet, nënvizon FT. Që në edicionin e parë, në vitin 1901, askush nuk e nominoi Lev Tolstoin, ndërsa çmimi i shkoi poetit francez Sully Prudhomme. Ndërkohë, SHBA-ja u konsiderua si një përfitues ekzotik vetëm në vitin 1930, kur Sinclair Lewis u bë laureati i parë amerikan.

Kritikët kënaqen duke hartuar lista me kolosë të anashkaluar si James Joyce, Franz Kafka, Virginia Woolf, Marcel Proust apo Kostandinos Kavafis. (Do të shtonim këtu edhe Ismail Kadarenë, të cilin gazeta britanike e ka harruar).

Nga ana tjetër, shumë laureatë kanë humbur peshën e tyre historike: figura si gjermanët Rudolf Eucken apo Paul von Heyse janë zhdukur nga kujtesa kolektive bashkë me Pearl Buck, e cila pas suksesit me romanin “Toka e mirë” u venit në harresë.

Historia e çmimit ka njohur edhe periudha të arta apo ngjarje me ngarkesë të fortë politike. Nga viti 1946 deri në vitin 1949, Akademia nderoi një seri pionierësh letrarë si Hermann Hesse, André Gide, T.S. Eliot dhe William Faulkner, i cili u ankua se ceremonia ishte po aq e gjatë sa një varrim në Mississippi. Ndërkaq, poeti amerikan Ezra Pound mbeti i pakurorëzuar me çmim për shkak të mbështetjes së tij për Holocaustin në radion fashiste italiane, gjë që u cilësua si reagim johuman nga anëtari i Akademisë, Dag Hammarskjöld, më vonë sekretar i përgjithshëm i OKB-së.

Kufiri politik mbeti i ndërlikuar: Luigi Pirandello, mbështetës i fashizmit, fitoi në vitin 1934, ndërsa kulmi politik u arrit gjatë Luftës së Ftohtë me zgjedhjen e shkrimtarit sovjetik Boris Pasternak (1958) dhe disidentëve Aleksandër Solzhenicin e Josif Brodski. Pasternaku, nën presionin e regjimit sovjetik, u detyrua të refuzonte “këtë çmim të pamerituar”. Po ashtu, Jean-Paul Sartre e refuzoi çmimin në vitin 1964, duke deklaruar se ai ishte i rezervuar për shkrimtarët e Perëndimit ose rebelët e Lindjes, ndërsa e cilësonte shumën e parave si një barrë të rëndë e torturuese.

Disa shkrimtarë si Philip Roth, që nuk e fitoi kurrë Nobelin, apo Günter Grass, i kurorëzuar në vitin 1999, u shndërruan në kandidatë të përhershëm. Paralelisht, reagimet e fituesve kanë krijuar anekdota të veçanta. John Steinbeck, në vitin 1962, u përgjigj me sinqeritet se nuk e meritonte çmimin. Samuel Beckett, kur mori telegramin e botuesit që e këshillonte të fshihej pasi i kishin dhënë Nobelin, e quajti ditën e ceremonisë “dita e mallkuar e Nobelit”, ndërsa bashkëshortja e tij bërtiti se kjo ishte një katastrofë.

Në vitin 2007, Doris Lessing reagoi me bezdi përpara gazetarëve në kopshtin e saj, duke thënë se kjo punë kishte 30 vjet që vazhdonte, ndërsa Peter Handke deklaroi në vitin 2014 se çmimi duhej anuluar përfundimisht - përpara se ta fitonte vetë në vitin 2019, duke ngjallur reagime të ashpra për shkak të përkrahjes së tij të hapur të nacionalizimit ekspansionist serb. Ndërsa Bob Dylan, në vitin 2016, i injoroi telefonatat e Akademisë për më shumë se dy javë.

Pavarësisht polemikave, e enjtja e ardhshme do të sjellë sërish hapjen e derës në sallën impozante të Stockholmit, ku sekretari i përhershëm do të shpallë emrin e radhës, duke vazhduar ritualin që vazhdon të mbajë vëmendjen e botës letrare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos