
Besfort Lamallari ka marrë zyrtarisht detyrën si ministër i ri i Punëve të Brendshme, duke zëvendësuar Albana Koçiun.
Ceremonia e dorëzimit të detyrës u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Brendshme, ku zv.kryeministrja dhe ish-ministrja Koçiu i kaloi zyrtarisht drejtimin e institucionit Lamallarit.
Në fjalën e saj, Albana Koçiu falënderoi stafin e Ministrisë së Brendshme për bashkëpunimin gjatë mandatit të saj.
“Jam e sigurt se stafi dhe ekipi profesional i ministrisë do të vijojnë të çojnë përpara punët e nisura. I uroj sukses ministrit Lamallari dhe secilit prej jush në përmbushjen e misionit të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve,” u shpreh Koçiu.
Ndërkohë ga ana e tij, ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, falënderoi Koçiun për punën dhe kontributin e dhënë në drejtimin e ministrisë, duke e vlerësuar atë si një drejtim dinjitoz dhe profesional gjatë këtyre muajve.
“Rikthehem në shtëpi dhe gjej një ekip me të cilin ndaj vlera dhe përvojë të përbashkët. Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një nder i posaçëm.
Do të vijojmë të çojmë përpara punët e mira të nisura dhe të forcojmë misionin tonë në shërbim të qytetarëve, për më shumë siguri, rend dhe integritet institucional,” deklaroi Lamallari. (A2 Televizion)