10 minuta seancë, Kuvendi ratifikon marrëveshjen Rama - Meloni për emigrantët, PDIU bashkon votat me PS-në

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2024, 10:23 | Politikë

Në një seancë të zhurmshme dhe që zgjati vetëm 10 minuta, Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar me 77 vota pro marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët. Edhe PDIU bashkon votat me PS-në.

Në rendin e ditës ishte planifikuar votimi për marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe projektligji për Amnistinë Penale. Por, ky i fundit u hoq nga rendi i ditës, pasi sipas burimeve, PS-ja nuk ka arritur të sigurojë 84 vota për miratim.

Kujtojmë se kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, tha ditën e djeshme se ai dhe deputetët e tij nuk do ta votojnë projektligjin. Gjithashtu, edhe pjesa tjetër e deputetëve të opozitës e janë shprehur se nuk do të votojnë.

Seanca e sotme u shoqërua me tensione dhe kaos, pasi vijon aksioni opozitar në Kuvend. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka deklaruar para godinës së parlamentit se janë kthyer në diktaturë. Me 77 vota pro, Kuvendi ka miratuar marrëveshjen e nënshkruar me Italinë për pritjen e emigrantëve në dy kampet që do të ngrihen në Lezhë.

Kanë qenë tre deputetë të PDIU-së, të cilët kanë bashkuar votat e tyre me mazhorancën. Gjithashtu, me shpejtësi u votua edhe projektligji për zonat e mbrojtura. Me 74 vota pro, u miratua dhe projektligji për zonat e mbrojtura.

Në një prononcim pas seancës plenare, Mesila Doda, si pjesë e PDIU-së “justifikoi” vendimin e forcës politike që ajo përfaqëson për të bashkuar votat me mazhorancën, që i dha dritën jeshile ratifikimit të marrëveshjes mes Italisë e Shqipërisë për emigrantët.

“Ne flasim për një shtet mik që na ka mbështetur gjithnjë në procesin e integrimit dhe gjatë krizave. Marrëveshja do të duhej të mbështetej nga të gjithë. Për çështjen e amnistisë varet nga shtresat që përfitojnë. Parlamenti nuk është për luftë, është të gjejmë ligjet më të mira për vendin. Duhet të kemi mundësinë të japim fjalën tonë. Do të duhet të lexoj draftin pasi nuk kam një përfundimtar”, deklaroi Mesila Doda. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos