
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, pranoi gjatë një konference për mediat se të dhënat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) sa i takon numrit të referimeve nuk kanë qenë të kënaqshme për vitin që lamë pas.
Gazetari i A2CNN, Igli Çelmeta, i kujtoi ministrit se numri i referimeve ka rënë nga 430 në 2024-ën në 330 në 2025-ën, duke treguar një ulje prej 100 referimesh.
Lamallari tha se në takimin e parë me drejtuesin e AMP ka theksuar se të dhënat e raportuara vitet e fundit nuk kanë qenë të kënaqshme nga ana e tij, duke u bazuar në potencialin që ka AMP për të rritur besimin në institucionet që ajo mbikëqyr, si Policia, Zjarrëfikësit dhe Garda e Republikës.
“Në takimin e parë që kam pasur me drejtuesin e AMP, ku të dhënat e raportuara vitet e fundit s’kanë qenë të kënaqshme nga ana ime, për punën dhe potencialin që ka AMP për të sjellë më shumë besim në institucionet që ka subjekte, si Policia, Zjarrfikësit, Garda e Republikës. Si masat administrative, po ashtu edhe ato të karakterit penal, referimet që bëhen në organin e akuzës, ndonëse kohët e fundit duket sikur ka një trend rritës të këtyre masave. 2025 nuk është shteruar e gjitha, sepse disa çështje janë në proces, në ndjekje. Shumë prej hetimeve që kanë nisur si hetime administrative, gjatë thellimit të hetimeve, mund të gjenden element të caktuar, që kalojnë në referimin si hetim penal”, tha ministri Lamallari. (A2 Televizion)