Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se kryemnistri Edi Rama e ka të qartë identikitin e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës.
“Jo më kot, zoti Rama propozoi zonjën Manastirliu si kryebashkiake. E dha identikitin e kandidatit për Tiranën. Një figurë e qetë, normale politikisht, pa protagonizëm mediatik. Rama e ka pikasur identikitin se si duhet të jetë. Duhet thënë që nuk mund të jetë një kryetar bashkie që nuk funksionon mirë me kryeministrin. Duke njohur temperamentin e zotit Braçe dhe zotit Rama, nuk kanë pasur një raport linear. Braçe ka qenë kreu i grupit parlamentar, Rama e largoi; disa kohë e ka mbajtur shumë afër, e largoi; e hoqi nga Berati, zoti Braçe qau. U prek sepse ishte shumë i lidhur me Beratin”, tha Hitaj.
“Mendoj se një kryeministër nuk do ia lejojë vetes të ketë një kryebashkiak që nuk e ka në kontroll. Fakti që Braçe është i pamenaxhueshëm 100% nga Rama, kjo është në disfavor për zotin Braçe. Kryetarët e Bashkisë Tiranë (Rama, Basha dhe Veliaj) kanë qenë “trashëgimtarët me bekim”. Ky është minusi që ka zoti Braçe, por ka pluse që është një socialist i pastër, i flet edhe elektoratit gri. Është kritik me ministrat dhe është një zë që ka një rritje që nuk ia ka shumë për borxh kreut të partisë”, shtoi Hitaj. (A2 Televizion)