
Deputetja socialiste, Romina Kuko, deklaroi se çështjet dhe kritikat ndaj Shqipërisë duhet të adresohen fillimisht brenda institucioneve të vendit.
E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ajo u shpreh se përdorimi i kritikave në arenën ndërkombëtare pa u trajtuar më parë në Shqipëri, sipas saj, nuk ndihmon procesin e integrimit europian.
Kuko theksoi gjithashtu se klima politike në Europë është bërë më skeptike ndaj zgjerimit, për shkak të rritjes së forcave të djathta në disa vende.
“Ky është një autosabotim që bëhet për konsum të politikës së brendshme, por edhe për të ndikuar procesin jashtë vendit. Duhet pasur parasysh se sot në Europë shumica e qeverive janë të krahut të djathtë dhe disa edhe të ekstremit të djathtë, çka krijon një klimë më skeptike për zgjerimin.
Si e ndihmon vendin tënd për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian duke nxjerrë kritika dhe alibi jashtë? Nëse ka kritika për korrupsionin apo çështje të tjera, ato duhet të trajtohen fillimisht brenda vendit, përmes gjykatave dhe institucioneve, dhe më pas të bëhen akuza që duhet të vërtetohen.
Ka një deformim të procesit të integrimit europian dhe mund të shihet si një formë sabotimi të brendshëm. Duhet të kuptojmë çfarë do të thotë të jesh pjesë e Bashkimit Europian. Ne jemi në NATO, por siguria nuk është vetëm ushtarake. Shqipëria ka nevojë për siguri ligjore, ekonomike dhe ushqimore, dhe këto standarde garantohen duke qenë pjesë e Bashkimit Europian.” (A2 Televizion)