“Katastrofike largimi i SHBA nga NATO”, analiza e gazetares: Çmimet e naftës po varen nga humori i Trump-it

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 09:31 | Politikë

Gazetarja e A2 CNN, Rosalba Bejdo, ka analizuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare gjatë një interviste në emisionin “Dita Jonë”, duke u ndalur te ndikimi i politikave amerikane në tregjet globale dhe sigurinë ndërkombëtare.

Bejdo vuri në dukje se çmimet e naftës po luhaten në varësi të humorit të Presidentit amerikan Donald Trump, deklaratat e të cilit ndryshojnë brenda ditës.

Po ashtu gazetarja e konsideron si “katastrofik” largimin e mundshëm të SHBA-ve nga NATO. Sipas saj Uashingtoni po e shqyrton një gjë të tillë, nisur nga konteksti kur bëhet deklarata e Trump-it, dhe faktit që në të njëjtën linjë ka qenë edhe Rubio.

Çmimet e naftës po variojnë në saj të humorit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tjetër gjë thotë në mëngjes, dhe tjetër gjë thotë pasdite. Në fakt pati sinjale pozitive në tregje pak ditë më herët kur Presidenti Trump sugjeroi se fundi i konfliktit mund të ishte i afër. Do të mbarojmë punë për 2-3 javë tha ai, dhe kjo u reflektua menjëherë më rënie të çmimit të naftës. Po atë ditë që shpalli afatin 2-3 javor, Trump foli për negociata, reagim pozitiv të Iranit, ndryshim të regjimit”, shprehet Bejdo.

Një prej deklaratave më shqetësuese që ka bërë Presidenti Trump gjatë ditëve të fundit, iu drejtua shumë qartë europianëve, meqë s’më ndihmuat të hapim Ngushticën e Hormuzit, atëherë hajdeni merreni vet naftën tuaj, sepse nuk kam nevojë, Amerika do tërhiqet nga lufta dhe Hormuzi do qëndrojë i mbyllur. Tregon një filozofi shqetësuese të SHBA-ve, që ne shkaktojmë dëme, dhe dëmet i riparoni ju. Këto ditë jo vetëm që ka sulmuar aleatët, ka sugjeruar në një intervistë të fundit që mund të tërhiqet nga NATO. Do ishte katastrofike një largim i mundshëm i SHBA-ve nga NATO. Janë themeltarë të NATO-s dhe garantuesi i sigurisë së gjithë Europës. Deklarata ka nxitur shumë shqetësim, edhe sikur të mos jetë serioze, dhe Trump të mos ta çojë deri në fund planin e tij. Por s’është vetëm ai, ka folur edhe Rubio, Sekretari i Shtetit, që është më i moderuar se sa Trump. Duket se është një gjë që SHBA-të po e shqyrtojnë”, vijon gazetarja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos