2026 nuk është një vit zgjedhor në Shqipëri, por politika do të duhet të punojë për të përmirësuar proceset zgjedhore. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një intervistë të parë për vitin 2026, u bëri apel partive politike që të avancojnë me dy reformat që prekin administrimin e proceseve zgjedhore, qoftë ajo për Kodin Zgjedhor, qoftë ajo për ndarjen administrative-territoriale.
“Në këtë vit do të duhet të tejkalohen kontradiktat që ekzistojnë për gjetjen e konsensusit mbi reformën zgjedhore dhe reformat e tjera. Duhet që të kemi një vit përpara zgjedhjeve rishikimin e ndarjes administrative-territoriale të Republikës së Shqipërisë. Personalisht, nuk më duket aq e vështirë për të dakordësuar se si duhet të jetë harta administrative-territoriale e Shqipërisë”, tha Celibashi.
Sipas tij, sytë nuk duhen hedhur larg për të marrë shembull, duke theksuar se një nga modelet më të mira është Kosova, e cila, sipas Celibashit, ka standarde shumë të larta për organizimin e proceseve zgjedhore, shkruan A2 CNN.
“Në fakt, standardi i zgjedhjeve në Kosovë është i krahasueshëm me vendet më demokratike në Evropë dhe në botë. Ai mund të krahasohet shumë mirë me standardin e vendeve nordike dhe, në këtë kuadër, Shqipëria duhet të mësojë shumë nga Kosova, të paktën sa i përket organizimit dhe menaxhimit të procesit. KQZ e Shqipërisë është një institucion që, edhe pse me modesti, mendoj se nga pikëpamja e organizimit, funksionimit dhe qasjes ndaj procesit zgjedhor, është e ngjashme me KQZ-në e Kosovës, por sërish procesi zgjedhor në Shqipëri mbetet larg atij të Kosovës.”
Por përse Kosova zhvillon zgjedhje më të mira se Shqipëria?
Sipas Celibashit, kjo lidhet me qasjen e aktorëve të tjerë zgjedhorë, kryesisht partive politike dhe institucioneve të tjera. “Ne e kemi parë shumë mirë sesi partitë politike sillen në Kosovë ndaj procesit zgjedhor. Ato e ndajnë qartë interesin e tyre politik nga qasja juridike dhe administrative që duhet të kenë ndaj procesit zgjedhor”, u shpreh ai.
Për këtë vit kalendarik, politika është angazhuar për disa reforma të mëdha, por që aktualisht mbeten të bllokuara për shkak të krizës mes mazhorancës dhe opozitës. (A2 Televizion)