Ngec reforma zgjedhore, Bylykbashi: PS nuk ka vullnet politik për konsensus

Nga Anesti Barjamemaj
3 Janar 2026, 15:06 | Politikë

Klima parlamentare nuk është e duhura për reforma, këtë deklaron Oerd Bylykbashi në një intervistë për A2CNN, ku tregon arsyet se përse opozita nuk merr më pjesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. 

Sipas tij mënyra e zgjedhjes së Avokatit të Popullit tregoi që mazhoranca nuk respekton asnjë kërkesë të opozitës.

“Nuk mund të jenë ishuj normaliteti këto dy reforma. Këto dy reforma kanë si parakusht vullnetin e mirë politik, për t’i bërë gjërat mirë dhe jo për t’ia hedhur njëra tjetrës. Janë gjëra që lënë gjurmë në një kohë të gjatë dhe lenë ose për mirë ose për keq”, tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Partisë Demokratike.

Pavarësisht largimit nga tryeza, demokratët i kanë gati kërkesat e tyre nëse klima politike ndryshon dhe puna për Reformën Zgjedhore do të rinisë.

“Sigurisht që ka nevojë për ndryshime shumë të forta, edhe të karakterit penal për sa i përket fragmentimit të shtetit në zgjedhje dhe penalizimit të partonazhimit, ndoshta për një ngrirje për një periudhë kohe, që administrata të mos marrë pjesë në procese politike në asnjë lloj forme, gjatë dhe pas orarit të punës”.

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore duket se ka humbur besimin edhe te ndërkombëtarët që mund të frenojnë Edi Ramën për të mos bërë reformë të njëanshme, shkruan A2 CNN.

“Nuk prodhojnë dot asnjë lloj garancie, por nuk ndalojnë dot Edi Ramën që të prish konsensusin. Nuk e ndaluan dot në 2020, nuk e ndaluan dot në 2016..”

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është mbledhur vetëm njëherë me praninë e opozitës në këtë sesion parlamentar. Palët politike kishin në agjendë edhe miratimin e ligjit për financimin e partive, por largimi i demokratëve nga tryeza ka ngecur punën.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos