22 dhjetori, Kuçana: Çdo anëtar i PD duhet të sjellë 50 protestues të hënën

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 20:56 | Politikë

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim masiv në protestën e paralajmëruar të hënën, duke kërkuar angazhim konkret nga strukturat drejtuese të partisë.

E ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli, Kuçana deklaroi se në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar është pranuar propozimi i 17 anëtarëve, ku dy pikat kryesore lidhen me “desorosifikimin” e Partisë Demokratike dhe ruajtjen e integritetit në kupolën drejtuese.

Sipas saj, drejtuesit e partisë, nga Këshilli Kombëtar te kryetarët e degëve, duhet të jenë figura me imazh publik të pastër, të palidhur me qeverinë, lejet e ndërtimit apo interesa klienteliste. Kuçana theksoi se kjo, sipas saj, rrit besueshmërinë e Partisë Demokratike në sytë e qytetarëve.

Duke folur për protestën e 22 dhjetorit, Kuçana sqaroi se kërkesa për mobilizim nuk ka ardhur nga Flamur Noka, por ka qenë një nismë personale e saj në Këshillin Kombëtar.

“I jam drejtuar personalisht zotit Noka duke i thënë se është detyra juaj të ngrini grupe pune ku çdo deputet duhet të sjellë 100 njerëz jashtë strukturës së Partisë Demokratike. Nëse një deputet nuk i ka 100 njerëz pas vetes, nuk e meriton të jetë deputet”, u shpreh ajo.

Sipas Kuçanës, çdo anëtar i Këshillit Kombëtar duhet të sjellë minimalisht 50 persona, duke nisur nga familja dhe rrethi shoqëror.

“Kjo është minimalja që duhet të bëjmë për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq dhe në një moment shumë delikat. Ne kemi borxh jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj gjithë shqiptarëve për t’u kthyer shpresën”, tha ajo.

Kuçana theksoi se protestat nuk duhet të jenë simbolike, por të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, duke shtuar se është e gatshme të qëndrojë në protestë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Kam kërkuar që të mos jenë protesta ku shkojmë dhe ikim, por protesta ku qëndrojmë. Unë jam e gatshme të qëndroj bashkë me njerëzit e mi deri në ikjen e Edi Ramës”, përfundoi ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos