34-vjetori i PS, kryeministri Rama: Vlera kryesore e skuadrës tonë janë burimet njerëzore

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 19:21 | Politikë

Ditën e sotme të majtët kanë festuar 34-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, raporton A2 CNN.

I pranishëm në takimin e mbajtur para selisë qëndrore të PS-së në Tiranë, kryeministri Edi Rama falënderoi të pranishmit dhe kontribuuesit ndër vite në Partinë Socialiste.

Rama tha gjatë fjalës së tij se fokus i punës së Parlamentit të ri gjatë këtyre 4 viteve do të jetë anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.

Ky proces sipas kryeministrit, do të shtrihet në të gjithë territorin dhe do të përfshihen edhe njësitë e pushtetit vendor, shkruan A2 CNN.

“S’kemi arsye për të mos qenë besimplotë. Kemi një skuadër të re me jo pak, por me 83 deputetë. Dhe më shumë sesa numri është përbërja e skuadrës, harmonizimi i eksperiencës me prurjet e reja dhe shpërndarja më e mirë se asnjëherë tjetër e peshës së përfaqësimit në çdo territor, që i japin kësaj skuadre të re që ta përballojë peshën e madhe që do duhet të mbajë këto vite, kur Parlamenti do të duhet të bëhet shtylla kryesore e procesit të anëtarësimit në BE, për vetë përmbajtjen që ka procesi.

Nga ana tjetër, unë besoj se si rezultat i mirëorganizimit në të gjithë territorin, kemi edhe një skuadër mbështetëse jashtëzakonisht premtuese në të gjitha njësitë administrative dhe të gjitha zonat ku PS është angazhuar gjatë këtyre muajve në mbështetje të grupeve të kandidatëve për deputetë. Vlera kryesore e kësaj skuadre janë burimet e veta njerëzore, ku ne do të duhet të qëmtojmë me kujdes për të përzgjedhur më të mirët e mundshëm. Procesi i anëtarësimit nuk është një proces thjeshtë i qeverisë, por një proces i shtrirë në të gjithë territorin ku përfshihen edhe njësitë e pushtetit vendor.

Nëse do bëjmë gjënë e duhur në çdo hap dhe do ta adresojmë si prioritet kombëtar të PS-së, do i japim një forcë të madhe PS-së në territor, duke u bazuar te njerëzit më të përgatitur. Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit, më shkuan sytë të Frrok Çupi dhe Ylli Rakipi. Ylli Rakipi rri larg për të thënë që s’jam me ju. Falenderoj edhe të gjithë ata që janë këtu para nesh dhe që janë të pranishëm gjithmonë në këto sebepe dhe në jetën e partisë.

Zysh Arta nuk më ndahet dhe shokun Gramoz që nuk diskutohet që sa kohë do e shoh në oborrin e partisë, partia është në rrugën e duhur. Shqetësohuni për kohën që ai s’do jetë më në PS, atë kohë se di si do bëni, por s’do jem as unë. Një falënderim të posaçëm edhe për Sekretarin e Përgjithshëm, i cili si gjithmonë në këto raste ka veshur kostumin e dasmës. Një falënderim në mbyllje për të gjitha gratë dhe vajzat që janë të pranishme”, tha mes të tjerash Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos