Përplasja me një shtyllë të ndriçimi në anë të rrugës në Elbasan, teksa i jepte automjetit në gjendje të dehur i ka kushtuar një gjobë prej 900 mijë lekësh deputetit të Partisë Demokratike, Qani Xhafa.
Vendimi ndaj ligjvënësit demokrat u shpall nga Gjykata e Posaçme, që e deklaroi të fajshëm atë për veprën penale të “drejtimit të mjetit në gjendje të dehur”. Pasi u fajësua deputeti u dënua me 9 muaj burg, masë dënimi që u ul në 6 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, por në përfundim, gjykata vendosi konvertimin e dënimit me burg në gjobë, që duhet të paguhet brenda 10 ditësh pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Në pretencën e lexuar të enjten, prokurorët e SPAK kërkuan fajësi dhe dënim me disa muaj burg për deputetin, por përfundimisht lënien e tij në një vit Shërbim Prove.
Nga ana tjetër, avokati i ligjvënësit i tha gjykatës se klienti i tij e kishte pranuar ngjarjen. “Atë ditë ka patur nië feste familjare me miqtë dhe po kthehej në banesë. Kërkojmë dënimin minimum ose detyrimin me punë me interes publik, ose me gjobë”, u shpreh avokati.
Sipas SPAK, aksidenti rrugor në të cilin u përfshi Xhafa ndodhi më 11 mars 2023 në bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan.
Duke drejtuar në gjendje të dehur një automjet tip “Toyota”, Xhafa ka humbur kontrollin e dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti u shënuan vetëm dëme të lehta materiale. (A2 Televizion)