Rishfaqet pas 4 ditësh, Berisha vijon denoncimin e ‘farsës së 11 majit’

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 16:42 | Politikë

Pas 4 ditësh mungesë në selinë blu, Sali Berisha u shfaq sërish para kamerave këtë të enjte. Siç ishte raportuar më herët nga stafi i tij, lideri demokrat pranoi se ka kaluar një virozë por thotë se tashmë çështja e shëndetit të tij është në plan të dytë pasi e ka kaluar pa ndonjë ndërlikim të veçantë.

“Unë një ditë po pata problem shëndetësor, unë njoftoj publikun”.

Në daljen e parë publike pas rikuperimit nga gripi, kreu i opozitës vijoi denoncimin e asaj që e quan farsë elektorale të 11 Majit duke pohuar se nuk do të njohë kurrë rezultatin e dalë prej tyre. 

“Denoncoj me forcën më të madhe, kartelet e drogës dhe implikimet e tyre nën drejtimin e Edi Ramës në farsën elektorale të 11 Majit. Deklaroj edhe njëherë se rezultati i këtyre zgjedhjeve të bazuara në krimin, drogën dhe farsën nuk do njihet kurrë”, tha Berisha.

Duke përmendur me emër Arkend Ballës, numri një i Partisë Demokratike, akuzoi se deputeti socialist është zgjedhur në Parlament i mbështetur nga grupet kriminale. 

“Përfaqësuesi i këtij karteli dhe Edi Ramës, Arkend Balla, Është i lidhur shpirt dhe xhep me këtë kartel”.

E teksa vijon me retorikën e tjetërsimit të rezultatit, rinumëri i kërkuar nga PD po tregon se më shumë vota janë trafikuar mes kandidatëve se sa mes subjekteve politike.

“Për PD-në vota ka vdekur pa hyrë në kuti. Aktet e shëmtuara të krijuara janë të gjitha të parapërgatitura, nuk janë ‘ex tempore’ aty. Duhet të bëj dallim për çdo qytetar, se çfarë është numërimi i votave për kandidatë dhe se çfarë është kontrolli i legjitimitetit të procesit”, u shpreh ai.

Sulmoi edhe Kolegjin Zgjedhor që ka rrëzuar kërkesat e PD për pavlefshmëri të rezultatit në 4 qarqe, duke çuar drejt certifikimit të tyre.  Sipas Berishës vendimi i kësaj trupe gjyqësore është marrë para 11 Majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos