Muzikë, verë dhe të ftuar të ndryshëm. Me këtë atmosferë socialistët festuan 34-vjetorin e themelimit të partisë. Kjo ditëlindje socialistët i gjen duke festuar edhe marrjen e mandatit të katërt qeverisës, fakt ky që u veçua nga Edi Rama, i cili tha se ky vit është më i veçanti për ta.
“Kjo është një ditëlindje që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen pas një fitoreje domethënëse të PS, një fitoreje e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, përveç faktit që u mishërua si rezultat i një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër për PS”, tha Rama, raporton A2 CNN.
Rama theksoi se mandati i katërt do të jetë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe përsëriti ambicien për t’u anëtarësuar brenda kësaj dekade. “Kjo fitore është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë dhe domethënie më të madhe lidhur me përgjegjësinë se sa ky objektiv”, u shpreh ai.
Në të paktat herë, kreu i socialistëve zgjodhi që të fliste shkurt. Një mesazh u drejtoi deputetëve të rinj, që të ndjekin shembullin e atyre që janë më të vjetër, por nuk la pa përmendur edhe veteranët, ku bëri dhe vetën pjesë të tyre.
“Edhe shokun Gramoz, që sa kohë do ta shoh këtu jam i sigurt që partia është në rrugë e duhur, shqetësohuni ditën kur do mungojë Gramozi, po atëherë s’do jem as unë, kështu që shihni e bëni", tha ai.
Zgjodhi që të fliste shkurt jo pa qëllim, pasi kohën e qëndrimit në festë Rama ia dedikoi kreut të Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ku nga gjuha e trupit shihet se biseda mes tyre ka qenë me tone të larta. (A2 Televizion)