“4 akuza nuk i ka asnjë zyrtar në detyrë si Erion Veliaj”, Tabaku: Ishte ditë e bukur kur hyri në SPAK

Nga A2 CNN
7 Janar 2025, 21:30 | Politikë

Jorida Tabaku nuk e fshehu aspak gëzimin për faktin se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për afera korruptive, teksa komentoi zhvillimet e fundit në këtë drejtim, në studion e “Debatit” nga Alba Alishani në A2 CNN.

Edhe pse tha se nuk ia uron askujt përfundimin pas hekurave të qelisë, Tabaku e sqaroi pse dita kur Veliaj shkoi në SPAK ishte një ditë e bukur.

“Afera e inceneratorit të Tiranës që përfshin qeverisjen nga niveli më i lartë i saj, por edhe shumë nivele qendrore e lokale me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, më bën të jem e kujdesshme dhe të pres për përfundimin e hetimit të kësaj çështje. Nuk ia uroj askujt burgun, nuk ia uroj as armikut më të egër. Por për mua ka qenë një ditë e bukur kur në SPAK hyri kryetari i bashkisë së Tiranës, sepse është personi i parë që ka pushtet që shkon atje dhe kjo ditë duhet të shërbejë për t’i shkuar çështjes deri në fund”, u shpreh ajo.

Në vijim, deputetja e PD nënvizoi se asnjë zyrtar tjetër në detyrë nuk ka pasur mbi shpatulla aq shumë akuza sa Prokuroria e Posçame ka ngritur ndaj Veliajt.

“Me njoftimin e fundit të SPAK-ut për hetimin dhe 4 akuzat për kerytarin e bashkisë, unë nuk besoj se ka pasur zyrtar tjetër në detyrë që të ketë pasur këto akuza”, theksoi deputetja e PD.

“Rasti “Veliaj” duhet të kishte ndodhur me kohë, që në momentin kur Veliaj në komisionin hetimor më deklaroi se kishte shkelur vetë ligjin. Nuk më kishte ndodhur kurrë që gjatë gjithë komisionit hetimor një zyrtar të pranonte në dëshmi live para kamerave që kishte firmosur për diçka që nuk duhej të firmoste. Dhe unë bëra thirrje në fakt, i bëra thirrje drejtësisë që kryetari i bashkisë duhet në këtë moment me patjetër të sekuestrohen provat dhe kryetari i bashkisë të mos punonte për ti prishur provat. Nga ai moment kanë kaluar dy vite e gjysmë”, shtoi më tej Tabaku.

E pyetur nëse priste nga Veliaj dorëheqjen pas njoftimit të SPAK për marrjen nën hetim të tij, Tabaku deklaroi se do ishte e tepërt të prisje një standard të tillë moral nga kryebashkiaku i Tiranës.

“Kryebashkiaku aktual që vijon të jetë në detyrë nëse do të kishte moral politik duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Një person që akuzohet për këto akuza shumë të rënda, që ka një hetim pasuror, që sekuestrohen pajisje, telefon, i bëhet kontroll banese, për mua duhet të ekzistonte standardi i dorëheqjes por për mua ky është një standard i tepërt që t’ia kërkojmë Erion Veliajt me ato që ka bërë. Nga Erjon Veliaj nuk e prisja duke ditur të shkuarën e tij por edhe si ka operuar dhe vepruar në politikë. Gjykoj se Erion Veliaj prej kohësh duhet të ishte para drejtësisë për çështjen e inceneratorëve”, theksoi ligjvënësja e djathtë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos