Të hënën, Sali Berisha akuzoi edhe Pandeli Majkon për krime zgjedhore, pak pasi Edi Rama e shkarkoi nga drejtimi politik i qarkut Kukës. Majko gjithsesi nuk vonoi ti përgjigjej pak orë më vonë kryetarit të Partisë Demokratike me një status në Facebook. Por pasi kaluan 24 orë, socialisti ai vendosi të mos e lërë çështjen vetëm me një reagim në rrjetet sociale.
Akuza duket se i ka “gërvishtur” sedrën politike deputetit socialist. A2 CNN raporton se të martën në mëngjes Majko ka trokitur në zyrën e Elisa Spiropalit duke i kërkuar ndihmë kryeparlamentares, me synim që të pastrojë figurën e tij para se të shkojë përpara qytetarëve të Tiranës për të kërkuar votën në 11 maji.
“Në takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. I kërkova që brenda protokolleve në fuqi, t’i kërkohej Shërbimit Informativ Kombëtar informacion me shkrim, lidhur me aludimet për fshehje informacioni të deklaruar dje në publik nga Sali Berisha!”
Për të treguar që është i pastër, Pandeli Majko është i gatshëm të zhvishet nga imunitetit, pavarësisht se me ligjet në fuqi SPAK mund ta hetojë edhe pa këtë vendim të tij.
“Kam vendosur që të dorëzoj çdo imunitet parlamentar i cili mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin tim në deklarimet publike të Sali Berishës!”
A2 CNN është interesuar pranë zyrës së Kryetares së Kuvendit, nëse ajo do të respektojë kërkesën e Majko dhe do të kërkojë informacion zyrtar nga Shërbimin Informativ I Shtetit, por nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare. (A2 Televizion)