“4 milionë euro jo nga fondi i emergjencave”, Gonxhja shpjegon pse Qeveria ndërhyri për të financuar koncertin e Kanye West

Nga A2 CNN
8 Korrik 2026, 15:33 | Politikë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se Qeveria ndërhyri për të financuar koncertin e Kanye West në mënyrë që ai të mos dështonte, pasi do të ishte dështim edhe për Shqipërinë.

Në një interviste në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Gonxhja tha se 4 milionë eurot që u akorduan për koncertin nuk kanë dalë nga fondi i emergjencave, por nga fondi rezervë. “Ky nuk është fond, le të themi, i fatkeqësive natyrore apo i fatkeqësive kombëtare. Ky është, fare thjesht, fondi rezervë i qeverisë shqiptare. Te ky fond mund të shkohet për të bërë koncertin për Ennio Morricone-n,  kur ka një plan të menjëhershëm dhe nuk ka pasur buxhetim në buxhetin e Ministrisë. Bie fjala, po them, jepet dhe alokohet te një ministri e caktuar për të bërë një event, sepse ka dalë që mund të bësh një event të paparashikuar për dy javë apo tri javë dhe duhet ta bësh këtë gjë, dhe qeveria mendon kolegjialisht e aprovon këtë gjë”, tha Gonxhja.

Gonxhja shtoi se në këtë vendim nuk ka asnjë paligjshmëri. “Si mund të jetë e paligjshme? Prandaj bëhet akt normativ, se ai merr fuqinë e një veprimi ligjor. Prandaj bëhet akt normativ, pra bëhet një autorizim ligjor i cili vjen ngaqë qeveria mendon se justifikohet plotësisht nevoja për shkak të dëmeve, impaktit, pasojave, pra gjithçkaje që lidhet me këtë rast specifik. Qeveria mendon që kjo është një gjë që është e nevojshme të ndodhë, është e drejtë e qeverisë ta bëjë këtë gjë”, tha ai.

“Nuk është prekur fondi i askujt spitali, i askujt programi, i askujt, në asnjë lloj forme. Ky është një fond i vogël, nuk e di shifrën ekzakte tani, po është një fond i vogël. E kam fjalën për fondin rezervë të buxhetit që është aty për raste kur ka nevoja të paparashikuara dhe që plotësojnë kushtet e një nevoje të paparashikuar”.

Ministri shpjegoi se, pavarësisht që fillimisht ishte thënë se eventi ishte me vetëfinancim, gjërat ndryshuan në ditët e fundit. “Ne nuk e kishim parashikuar me financim shtetëror në fillim, por ne jemi këtu, ne jemi prezentë, ne gjykojmë, ne shikojmë në rast se ka një kërkesë. Dhe kur kjo kërkesë vjen, ne shikojmë një rrezik, ne shikojmë një humbje dhe ne shikojmë që duhet ta garantojmë eventin, sepse të mirat që marrim nga eventi janë shumë më të mëdha sesa minusi”, tha ai.

“Këto janë të mirat që marrim nëse ai garantohet dhe bëhet, qoftë edhe i mbështetur nga qeveria me një fond si ky; janë shumë më të mëdha sesa dëmi që do të kishim në rast se ne do të rrinim pasivë në këtë rast dhe do të thoshim: “Ne e thamë që në fillim që nuk do të kishim financim për ju, s'ka problem se ju dështoni, dështoni eventin dhe nuk ka problem për Shqipërinë”. Dhe për këtë, kjo gjë besoj do të shtjellohet nga ne. Kjo gjë është ajo që, domethënë, nuk na nxjerr aspak fajtorë, përkundrazi, ne nuk e mohojmë që kjo gjë ishte parashikuar që të mos merrte një fond siç mori në fund. Prandaj fondi në fund quhet i paparashikuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos