
40 kompani inovative izraelite janë bërë bashkë në samitin Shqipëri-Izrael që ka si qëllim për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së fjalës së fundit.
Në fjalën e mbajtur kryeministri Edi Rama theksoi se dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Izraelin, dhe u shpreh se Shqipëria ka sot një nivel të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike, falë bashkëpunimit me këtë vend, shkruan A2CNN.
“Keni sjellë vullnetin tuaj dhe dijen tuaj për të na ndihmuar të ecim përpara në një rrugë që e kemi çelur, duke i besuar dixhitalizimit të infrastrukturës sonë, dhe duke i besuar bekimit që është teknologjia e re, për vende si tonat. Vende që përmes teknologjisë mund të bëjnë një kërcim përpara, dhe që vendet më të mëdha me mënyrat e vjetra i kanë të vështirë t’i bëjnë. Ne besojmë te kjo marrëdhënie, jo vetëm për shkak të historisë, që është lidhje e krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre", tha kryeministri.
"Regjimi iranian na sulmoi, sulmoi atë që kishim ndërtuar pareshtur me vite të tëra, për të transformuar shërbimet publike, nga një sistem tërësisht korruptiv, i zymtë, në një sistem tërësisht të shpejtë dhe transparent, pa tarifa. Synuan ta shkatërronin këtë për të na çuar mbrapsht, në kohën e errët të shërbimeve publike në nivelin më të ulët. Qemë shumë të kënaqur që Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë. I mbijetuam këtij sulmi, mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtje. Sot mund të them me krenari që kemi një nivel krejt të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike, falë bashkëpunimit me Izraelin dhe talentet izraelite”, u shpreh Rama.
(A2 Televizion)