Robert Budina: Artistët nuk kanë arritur kurrë të shkojnë te politika për të lobuar për të drejtat e tyre

Nga A2 CNN
11 Maj 2026, 22:22 | Politikë

Regjisori Robert Budina deklaroi se artistët në Shqipëri nuk kanë arritur dot kurrë të shkojnë te politika dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Sigurisht që artistët nuk kanë asnjë vlerësim. Kjo është e padiskutueshme dhe nuk kanë arritur dot kurrë të lobojnë, të shkojnë te politika dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Sepse e kishin në dorë, me ca vota ia kishin dhënë statusin e artistit, ia kishin ndërruar edhe mirëqennien e tyre, pa diskutim fare”, u shpreh regjisori në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Ne që merremi me këtë punë e dimë shumë mirë, nuk presim të na vijnë ata. Ne duhet të shkojmë sepse ky kalon përtej artit dhe shkon në mision. Unë kisha një film që në kinema solli rreth 700 veta. Dola vetë me filmin në dorë, shkova te shkollat, takova, e ktheva në diskutime etj. dhe u bënë 5 000 veta. Kur shkova te distributori në Gjermani, ai më tha: “Këto shifra kaq të mëdha për një film të angazhuar nuk i kemi në Gjermani”. Paska qenë sukses i madh. Shumë forma ne nuk i dime, si për shembull impakti që ke ti kur shkon direkt te fëmijët dhe i flet për filmin”, shtoi Budina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos