“45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së”, Robelli: Më shqetëson patetizmi shqiptar

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 22:40 | Politikë

Gazetari Enver Robelli komentoi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN pretencën e dhënë nga Prokuroria Speciale për ish-krerët e UÇK-së, ku kërkohen dënime maksimale nga 45 vite burg për secilin. Robelli thotë se ky është një proces i vështirë për Kosovën, por vë në dukje se nuk i bën përshtypje të mirë “i gjithë patetizmi shqiptar” në lidhje me rastin.

Pikësëpari nuk është fundi. Pak a shumë Prokuroria si në çdo rast anon nga ideja për ta prezantuar, ose për ta fryrë rastin, për t’i dhënë një jehonë më të madhe nga ç’mund ta ketë. Këto janë kërkesat e tyre, por nuk domethënë që këto kalojnë në trupin gjykues. Gjykatësit do të tërhiqen për 90 ditë në këshillime dhe do verifikojnë të gjitha provat, të vërteta apo të rrejshme që janë prezantuar aty, dhe pastaj do marrin vendim.

Edhe në rastin më të keq, nëse do ketë eventualisht ndonjë shpallje të ndonjërit prej të akuzuarve si fajtor, ekziston prapë shkalla e dytë. Do të ketë prapë një mundësi për t’u ankuar. Ky është një proces i vështirë për Kosovën, i vështirë për t’u përballuar me të, por mua çka më bën përshtypje dhe s’më bën përshtypje të mirë është gjithë ky patetizmi shqiptar", tha Robelli. 

Më tej, ai tha se duhej të krijohej një strategji pas daljes së raportit nga Dick Marty dhe jo deklarata si ato të Berishës në atë kohë.

“Mendoj që është naivitet i skajshëm dhe ma kujton pastaj edhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kur doli raporti i Dick Marty-t, doli në parlamentin e Shqipërisë dhe thoshte kush është ky kur ne shqiptarët kemi pasur civilizim, paraardhësit e tij ecnin nëpër degë të lisave e të pemëve. Kjo nuk është gjuhë komunikimi në politikë dhe mendoj që është dashur të krijohet një strategji, një strategji për e përbashkët për mbrojtjen e këtyre njerëzve.

Po ashtu, ai kritikoi edhe deklaratat e fundit të Ramës për prokuroren. “Për shembull kur e shoh kryeministrin e Shqipërisë që bën postime në rrjetet sociale dhe i thotë një prokuror je idiot. Mendoj që është kontraproduktive. Nuk i ndihmohet as më së paku i ndihmohet këto të akuzuarve. Mendoj që emocionet këtu nuk luajnë shumë rol dhe gjykata janë pak a shumë prokurorë dhe gjykatës që kanë një përvojë të gjatë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos