Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko zgjodhi të mos komentojë, kur u pyet nëse prangosja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, do të frikësonte Partinë Socialiste. Në studion Ditarit me Erion Dushin, Kuko theksoi se ndëshkimi nuk është çështje dëshirash, por provash dhe procesi.
“Me lejo të rezervoj të drejtën për të mos komentuar për këtë çështje dhe besoj që duhet të jemi më të rezervuar në të gjitha çështjet. Do të duhet të ketë ndëshkim sistematik për çështjet që ne dimë, por kjo nuk është çështje dëshirash. Është çështje provash e procesi. Ne duhet të edukojmë veten e njerëzit që janë të paduruar për të marrë drejtësi se kanë kaluar kaq shumë vite me paprekshmërinë e personave të fuqishëm në këtë vend, jo vetëm për politikanët, por dhe ata që kanë patur pushtetin ekonomik. Të vendosim një standard që një akuzë nuk do të thotë që është gjykim, që diçka që hidhet për konsum publik nuk është vendim i formës së prerë. Një politikan është çështje e djeshme, por të jemi më të kujdesshëm që ta shohim këtë proces”, tha Kuko në A2 CNN.
Sipas zv. ministres së Brendshme, reforma në drejtësi duhet të pastrojë sistemin nga ata që fusin duart në xhepat e qytetarëve, për të vendosur një standard të denjë për në BE dhe të mos krijojmë probleme kur të jemi integruar.
“Kush ka tendencën për të futur duart në xhepat e qytetarëve nuk duhet të afrohet 1 mijë kilometra nga detyrat publike. Kemi kaluar disa nga standardet më të vështira. Unë besoj që të lëmë reformën në drejtësi të bëjë punën vet dhe ta pastrojë sistemin nga ata që e dëmtojnë dhe të vendoset një standard ku që ata që kanë në mendje për të hyrë në punët publike për të plaçkitur njerëzit të mos afrohen më, se anëtar të BE nuk do të bëhemi dot kurrë me këtë lloj standardi. Kur të jemi pjesë e BE do të jemi subjekt i prokurorëve të BE që janë të vendosur për të pastruar korrupsionin. Më mirë t’i pastrojmë tani dhe të shkojmë si anëtar i denjë në BE, teksa të krijojmë probleme teksa jemi integruar”. (A2 Televizion)