
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nga Shkodra, në një bisedë me të rinjtë, e pyetur nëse Ervin Salianji duhet të lejohet apo jo që të kandidojë në zgjedhjet e brendshme përballë kreut aktual të opozitës, Sali Berisha, tha se PD-ja nuk e ka luksin që të humbë askënd, duke lënë të nënkuptohet se gara duhet të jetë e hapur për këdo dhe se partitë nuk duhet të jenë monopol i askujt.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare, ku Tabaku kandidoi në listën e hapur, rrëfeu se në një moment ka menduar edhe tërheqjen nga kjo garë sepse ende sot e cilëson të padrejtë atë vendim të PD. Për deputeten demokrate ndryshimet e Kodit Zgjedhor që nga 2009 kanë qenë negative dhe kërkon që listat të jenë plotësisht të hapura, shkruan A2.
Lidhur me temën e takimit, “Meritokracia dhe të rinjtë”, deputetja Tabaku deklaroi se në Shqipëri ka humbur shpresa për brezin e ri dhe solli rastin e motrës së saj që ka emigruar.
Deputetja Tabaku solli në vëmendje edhe retorikën e akuzave në Parlament që, sipas saj, e dëmton politikën edhe pse ndokujt edhe brenda radhëve i bëhet qejfi kur akuzohen duke mos qenë një ekip.
Në këtë bisedë të deputetes së PD Jorida Tabaku me Akademinë e Lidershipit Rinor në qendrën rinore Arka në Shkodër të rinjtë patën mundësinë të japin pikëpamjet e tyre dhe idetë për përmirësimin e politikës dhe përfaqësimin më dinjitoz të tyre në të ardhmen. (A2 Televizion)