
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se sot Bordi i Transparencës do të dalë me një vendimmarrje për çmimin e naftës.
“Bordi sot do të mblidhet, është duke marrë gjithë informacionin sa i përket lëvizjes së çmimeve dhe mbi të gjitha ndryshimeve që ka çmimi i bursës. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot”, u shpreh ministri, shkruan A2.
Demo nënvizoi se prioritet është garantimi i transparencës dhe marrja e masave për të lehtësuar barrën e qytetarëve: “Rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që sjell në produktet në një bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar. Të garantojmë transparencën duke filluar me produktet bazë dhe ato si nafta, që të mos ketë spekulim në treg. Qeveria është e gatshme të marrë masat e duhura kur ne gjykojmë që barra për qytetarët është jo e vogël dhe do të marrim masat e duhura nëpërmjet Bordit ose institucioneve të tjera”.
(A2 Televizion)