
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, njoftoi sot ndryshime në funksionimin e Komisionit të Çmimeve të Barnave. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë Sala tha se kjo bëhet me qëllim rritjen e transparencës, përshpejtimin e procedurave dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm të barnave, pa rritje çmimesh.
“Me miratimin sot në Këshillin e Ministrave në vendimin numër 645, datë 1.10.2014, për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave u hodh një hap i rëndësishëm për të garantuar më shumë transparencë, stabilitet dhe siguri në tregun e barnave në Shqipëri. Vjen si një nevojë e hershme për përmirësimin e metodologjisë së përcaktimit të çmimit të barnave, për shpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët. Synimi kryesor është disponibiliteti i qëndrueshëm i barnave në treg, duke shmangur rrezikun për mungesa, veçanërisht për barnat që janë alternativa të vetme në listën e rimbursimit apo në ripërdorimin spitalor”.
Sala mohoi rritjen e çmimeve, por theksoi se synohet rritja e transparencës dhe profesionalizmit në procesin e përcaktimit të çmimeve.
“Synohet rritja e transparencës dhe profesionalizmit në procesin e përcaktimit të çmimeve, përmes një metodologjie më të qartë dhe më të qëndrueshme, e cila mban nën kontroll çmimet, por njëkohësisht krijon mundësi për përthithjen e barnave të reja dhe inovative në tregun shqiptar. Si dhe përshpejtimi i afateve dhe thjeshtimi i procedurave, duke përfshirë edhe përdorimin e dokumentacionit elektronik, në përputhje me procesin e digjitalizimit të administratës. Në funksion të transparencës është përcaktuar edhe një dispozitë të veçantë për vitin 2026 për të siguruar që barnat të mos tërhiqen nga tregu, garantimin e qëndrueshmërisë së barnave dhe një treg farmaceutik më të sigurt, si dhe sigurimin që çdo pacient në Shqipëri të ketë barna në kohën e duhur dhe me standarde të garantuara cilësie”, theksoi ajo.
E pyetur në lidhje me rimbursimin për personat me diabet tip 1, ajo tha s ekjo do të nisë nga viti 2027.
(A2 Televizion)