Kryeministri Edi Rama këmbënguli edhe një herë se vetëm Partia Socialiste mund ta çojë përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, shkruan A2 CNN. Ai tha që, pavarësisht se BE nuk mund të komentojë mbi procesin zgjedhor në vendin tonë, nuk do ta thoshte kurrë këtë edhe nëse e mendonte.
“BE nuk vendos kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet në Shqipëri dhe as nuk lidh politikën e vet me kë zgjidhet në Shqipëri. Por ajo që them unë është që nuk ka një forcë tjetër që e kryen dot këtë mision. Këtë nuk e përcakton dot BE. Edhe nëse e mendojnë nuk kanë për ta thënë ndonjëherë”, tha Rama në një konferencë për mediat me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas.
E pyetur për deklaratat e kryeministrit Rama që, nëse pas 11 majit në Shqipëri do të kishte rotacion procesi i anëtarësimit do të ngadalësohej, ajo u përgjigj me diplomaci. “Në këtë rrugëtim duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve. Për këtë duhet mbështetje. Në Shqipëri, të gjithë qytetarët e kanë dhënë mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Për këtë duhen reforma të vështira që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve”, tha ajo. (A2 Televizion)