“Në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim përsa i përket organeve të drejtësisë së re”. Këtë përgjigje dha sekretari i Përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi i pyetur nga gazetarët nëse Partia Socialiste ka ndryshuar qasje dhe qëndrim ndaj SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë, pas mbrojtjes ndaj Belinda Ballukut.
“Kjo parti e ka shprehur qartazi qëndrimin e saj. Në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim përsa i përket organeve të drejtësisë së re. Mbështetja për drejtësinë e re ka qenë në themelet e kësaj periudhe të strukturimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste. Mos harrojmë, kemi ardhur në pushtet në vitin 2013 me një nga premtimet e mëdha, të reformës në drejtësi. Atë reformë që ja kemi ofruar qytetarëve shqiptarë, vazhdojmë ta mbështesim, ta jetësojmë dhe natyrisht të qëndrojmë gjithmonë të baraslarguar nga drejtësia përsa i përket vendimmarrjeve të saj”.
Klosi tha se PS nuk do të përfshihet në asnjë hetim apo pengim të hetimeve për asnjë rast.
“Ne i qëndrojmë 100% të parimit. Nuk involvohemi në asnjë proces hetimor. Përsa i përket hetimit, në asnjë rast nuk do të kemi pengim të hetimeve, koment për hetimin dhe natyrisht koment për gjykimet e fundme të vendimmarrjes së organeve të drejtësisë”. (A2 Televizion)