Gazetari Enver Robelli, i ftuar në emisionin “Off the Record" nga Andrea Danglli në A2CNN, foli për rrezikshmërinë e Iranit në raport me vendet që shteti islamik i konsideron si armiqësore, ndër to edhe Shqipërinë.
Armiqësia që Shteti Islamik ka treguar ndaj Shqipërisë reflektohet edhe në sulmet e herëpashershme kibernetike, më i fundit ai i sotmi, ku hakerat iranianë hakeruan email-e të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
“Irani është një fuqi destruktive, një regjim jashtëzakonisht armiqësor ndaj shteteve që ai i konsideron aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas retorikës së tyre, ‘satani kryesor’ janë SHBA-të dhe doktrina shtetërore e qeverisë së Iranit është shkatërrimi i Izraelit dhe dobësimi apo shkatërrimi i SHBA-ve. Në këtë drejtim, natyrisht që nuk ka ndonjë ngurrim nga regjimi i Iranit për të përdorur çdo mjet për të dëmtuar shtete të tjera, mes tyre edhe Shqipërinë.”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin.
Gazetari gjithashtu rikujtoi sulme të ndryshme që qeveria iraniane ka kryer ndër vite ndaj SHBA-ve, Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Në vitin 2012, iranianët kanë sulmuar bankat amerikane pasi ishte sulmuar Izraeli. Është tentuar gjithashtu të ndërhyhet në sistemin e ujësjellësit në Izrael për të rritur nivelin e klorit dhe ka pasur edhe sulme ndaj Parlamentit britanik. Këto janë gjëra që ndodhin shpesh.” (A2 Televizion)